Dhurimi i gjakut në Maqedoni në të kaluarën
Në Republikën e Maqedonisë, fillet e mjekësisë së transfuzionit datojnë nga viti 1935, në kohën kur i riu Dr. Pançe Karagjozov, e më vonë edhe Dr. Jovan Panovski, aplikuan të ashtuquajturat transfuzione të drejtpërdrejta. Nga dhuruesi universal i grupit të gjakut 0 (në atë kohë akoma nuk ishte i njohur faktori Rh), duke përdorur shiringën e Cankos, të sëmurit drejpërdrejt i kanë zbrazur një racion prej 20 ml. gjak.
Themelimi i një shërbimi të organizuar formal juridik të transfuzionit është realizuar më 1 korrik 1946 me aktin nr. 1363, citojmë: “Që të sigurohet dhënia e gjakut të sëmurëve të cilët kanë nevojë, Ministria e Shëndetit Popullor e RPM sjell vendimin vijues pranë Spitalit Shtetëror në Shkup të formohet Stacion i Transfuzionit të gjakut … Udhëheqës të stacionit e caktoj dr. Branimir Simonoviqin …
Ky vendim hy në fuqi nga dita që është vënë në dijeni – nënshkrimi: Dr. Vukashin Popadiq, (ministër i atëhershëm i Shëndetit Popullor).” Me këtë janë vendosur themelet e Shërbimit të Transfuzionit në Republikën e Maqedonisë. Pas përfundimit të përgatitjeve, më 13.07.1946, Stacioni ka filluar punën. Të punësuarit e parë, së bashku me Dr. Branimir Simonoviqin ishin: motrat medicinale Branka, Magda, Penka dhe infermierja Kosara. Këta pesë persona e kanë bartur barrën e vështirësive fillestare të veprimtarisë së stacionit. Në këtë periudhë janë grumbulluar dhe janë ruajtur sasitë e para të gjakut. Kjo ngjarje është shënuar me një artikull përkatës në gazetën “Nova Makedonija” të 27 korrikut 1946. Në periudhën nga viti 1946 – 49, vëllimi i punës së stacionit ka qenë i vogël dhe ka arritur 206 litra gjak nga 205 dhurues të regjistruar të gjakut. Ata kryesisht janë dhurues të gjakut, të cilët kanë marrë P1 kartela, me çka janë furnizuar me artikuj ushqimor. Marrja dhe ruajtja është bërë në shishe jostandarde, pastaj gjaku është filtruar nëpërmjet gazës sterile, ndërsa tek i sëmuri është transfunduar nëpërmjet një sistemi të vetëm gome, i cili është sterilizuar para çdo përdorimi. Në këtë periudhë është përcaktuar vetëm grupi i gjakut, në një pllakë me 2 antiserume. Më 1 janar 1949, pas përfundimit të kursit për udhëheqës të institucioneve të transfuzionit në Beograd, u emërua dhe punoi me sukses drejtuesi i ri Dr. Miko Karçovski. Më 20 janar 1949, me propozim të drejtuesit të ri, Stacioni i Transfuzionit pranë Spitalit Shtetëror në Shkup, me vendim të Ministrisë të Shëndetit Popullor të RPM-së është shpallur STACION REPUBLIKAN I TRANSFUZIONIT, i cili merr detyra të reja – t’i furnizojë me gjak, produkte të gjakut dhe serume të gjitha institucionet shëndetësore në Maqedoni, civile dhe ushtarake.
Në vitin 1951 fillon zhvillimi i shërbimit në tërë Republikën me formimin e kabineteve të transfuzionit në Manastir, Shtip dhe Prilep. Vëllimi i punës rritet dhe në vitin 1950 janë realizuar 1.612 dhurime të gjakut, ndërsa në vitin 1951 shënohen 2 587 dhurime të gjakut.
Në vitin 1952, me vendim të Qeverisë të RPM-së, Stacioni Republikan i Transfuzionit është shpallur ENT I TRANSFUZIONIT TË RPM-së. Drejtor i parë ka qenë Dr. Miko Karçovski. Enti është lidhur dhe ka vendosur bashkëpunim me Frontin Popullor, FAG, Lidhjen e Luftëtarëve, Organizatën Rinore, Kryqin e Kuq, Shërbimin e sanitetit të AJ-së, me qëllim që të zbatohet puna organizative dhe shëndetësore – edukative, të motivohet popullata për dhurim të gjakut.
Në vitin 1953, Kryqi i Kuq i Jugosllavisë u angazhua rreth masovizimit të dhurimit të gjakut. Në mars të vitit 1953 janë realizuar aksionet e para për dhurimin e gjakut sipas parimeve rishtas të krijuara të VULLNETARIZMIT, ANONIMITETIT dhe FALAS. Njëri nga organizatorët, krahas Kryqit të Kuq të Maqedonisë dhe Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë ishte edhe Enti i Transfuzionit. Në të njëjtin vit, të ndihmuar nga Enti i Beogradit, fillojnë me punë edhe ekipet e para lëvizëse, të cilat nisen për në Titov Veles dhe në Kumanovë. Në këtë vit, numri i dhurimeve të gjakut arrin 3.756.
Në vitin 1954, Enti i Transfuzionit të RPM-së ka formuar ekipin e saj lëvizës, i cili ka punuar në tërë Republikën. Një pjesë e sasive të gjakut të grumbulluar është dërguar në Beograd për Plazma Programin Jugosllav.
Në vitin 1955, nga bodrumet e klinikës së sotme kirurgjikale, Enti është zhvendosur në godinën rishtas të adaptuar në vendndodhjen e tanishme. Në kushte të reja fillon zgjerimi i veprimtarisë laboratorike: është futur përcaktimi i faktorit Rh, fillon prodhimi vetjak i antikoagulantëve për ruajtjen e gjakut të dhuruar, përgatitja e tretësirave infuzive dhe pajisjeve për transfuzion. Numri i të punësuarve arrin 22, në mesin e të cilëve Dr. Berisav Vujasin dhe Dr. Nadezhda Stojçevska – që të dy, mjekë të përhershëm të cilët me tërë mundin e tyre kanë punuar në avancimin e shërbimit të transfuziologjisë dhe integrimin e mjekësisë së transfuzionit në atë klinike. Numri i dhurimeve të gjakut rritet në 5.100. Në vitin 1958 përgatiten test serumet dhe reagensët e parë vetjak për përcaktimin e grupeve të gjakut. Në Ent, në mënyrë sistematike, ekzaminohen shtatzënat dhe në bashkëpunim me klinikën gjinekologjike planifikohen ekssangvino – transfuzionet e para. Me këtë, mjekësia transfuzive jep kontributin e saj në zvogëlimin e vdekshmërisë neonatale. Në rritjen e punës profesionale, drejtpërdrejt ndikon edhe ardhja e mjekëve të rinj në Ent: Dr. Lubica Sotirovska, Dr. Vasil Zahariev dhe Dr. Ivan Dejanov. Angazhmi i tyre ka dhënë rezultate të menjëhershme në avancimin e dhurimit të gjakut, i cili në vitin 1960 shënon 15.447 njësi gjaku.
Për aktivitetet e zgjeruara të Entit (testet e përputhshmërisë dhe përcjelljes koagulative), hapësira mbetet e vogël dhe në vitin 1962 mbindërtohet një pjesë e re e godinës, në të cilën tani ka 40 të punësuar, prej të cilëve 5 janë mjekë. Një provim i madh për mënyrën e organizimit të Entit Republikan ishte tragjedia e vitit 1963, tërmeti katastrofal që e goditi Shkupin. Ato ishin momentet, të cilat theksuan sakrificën e të gjithë të punësuarve. Për punën e jashtëzakonshme dhe me sukses, në periudhën pas tërmetit, Enti u dekorua me Urdhrin e meritës për popullin me rreze argjendi. Kjo katastrofë mundësoi përfitimin e njohurive të çmueshme për organizimin sa më të mirë të tërë shërbimit dhe mënyrën se si të reagohet gjatë katastrofave të mëdha.
Në qarqet më të larta të vendit u vërejt vlera e Shërbimit të Transfuzionit, posaçërisht e Institucionit Republikan. Për këtë arsye në vitin 1964 u përkrah furnizimi me, në atë kohë, pajisje moderne për liofilizim. Në vitin 1965, tanimë në mënyrë rutinore leofilizohet plazma dhe produktet e tjera të gjakut, gjë që mundësoi të formohen rezervat e para për gjendje të jashtëzakonshme dhe gjendje lufte.
Në periudhën vijuese 20 vjeçare 1966 – 1986, Enti dhe veprimtaria e transfuzionit në Republikën tonë, zhvillohen me një ritëm akoma më të shpejtë. Formohet Banka e parë e kockave dhe thellohet bashkëpunimi me klinikën ortopedike. Në mënyrë rutinore përgatitet serum autolog për adaptim të kornesë nga kadaveri te pacientët e planifikuar për transplant korneal në klinikën e sëmundjeve të syve. Në vitin 1968, në krye të Entit Republikan të Transfuziologjisë vjen Prof. Dr. Jonçe Nedellkovski. Enti konsolidohet nga aspekti i personelit dhe aspekti material. Ky zhvillim është theksuar dukshëm në vitet e tetëdhjeta kur mbindërtohet pjesa e re e godinës së Institutit të atëhershëm të Transfuziologjisë dhe të Hematologjisë. Modernizohen të gjithë laboratorët duke u furnizuar me pajisje tejet të sofistikuara. Përpjekjet e investuara në ngritjen e kuadrit të profesionalizuar kthehen në një fryt të jashtëzakonshëm.
Vendosen procedura moderne teknologjike për ndarjen e qelizave të gjakut, për fraksionimin e plazmës dhe fitimin e albuminës, krioprecipitatit, fibrinogjenit, antiserumeve imune, enëve plastike për përpunimin dhe transfundimin e gjakut. Paralelisht me përmirësimin e teknologjisë prodhuese, modernizohet edhe puna laboratorike duke futur ekzaminimet imunologjike, imunokimike dhe imunogjenetike.
Enti praktikon punë ekipore dhe bashkëpunim me klinikat në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, me ç’rast bashkëpunimi me Klinikën e Hematologjisë është i interesit të veçantë dhe shumë i frytshëm për shkak të zhvillimit të përbashkët dhjetëvjeçar.
Paralelisht me zhvillimin e Entit zhvillohet edhe Shërbimi Transfuziologjik gjithandej në Republikë. Rregullimi kadrovik, material dhe hapësinor, i këtyre shërbimeve ka kontribuar që këto qendra të bëhen njësi moderne ku transmetohen doktrinat dhe procedurat themelore transfuziologjike, me çka u arrit mjekimi modern dhe i njëllojt i qytetarëve në të gjitha pjesët e Republikës. Falë zhvillimit të Entit, transfuziologjia te ne i tejkalon dimensionet e një shërbimi dhe ngritet në një nivel të barabartë të disiplinës shkencore mjekësore, pa të cilën, sot nuk është e mundur mbrojtja shëndetësore moderne.
Në vitin 1974, në Ohër u organizua dhe realizua Kongresi i transfuziologëve dhe i hematologëve të Jugosllavisë. Në vitet e tetëdhjeta, drejtor i Entit Republikan të Transfuziologjisë ishte Prim. Dr. Dragan Ivanovski. Kjo është periudha në të cilën dukshëm rritet numri i dhuruesve të gjakut në Republikën e Maqedonisë. Zhvillim i cili bazohet në punën e mrekullueshme profesionale është përkrahur nga shteti, posaçërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Shkencës.
Vendoset bashkëpunim intensiv me Ministrinë e Mbrojtjes në sferën e përgatitjes së produkteve stabile, fillimisht në formë të plazmës së thatë, e më pastaj edhe 5% albuminë. Në njësinë e serumeve dhe ferezave, Prim. Dr. Bozhidar Trajkovski e përsosi prodhimin e serumeve hiperimune me origjinë humane, si dhe serume me origjinë shtazore dhe bimore.
Prim. Dr. Vlladimir Milenkov ka futur në rutinë ndarjen e qelizave dhe plazma dhe citoferezën terapeutike. Dr. Risto Dukovski ka themeluar laboratorinë e hulumtimeve hemodinamike dhe ka futur pletizmografinë dhe Dopler ekzaminimin e enëve të gjakut.
Njësia e produkteve të gjakut, në mënyrë rutine, tanimë një kohë të gjatë udhëhiqet nga Prim. Dr. Dragan Ivanovski – fitues i Urdhrit të punës me kurorë argjendi 1979. Ai së bashku me Ass. Dr. Olga Damevska kanë futur kromatografinë jon – këmbyese në prodhimin e albuminës tejet të purifikuar. Numri i njësive të gjakut që kalojnë në përpunim arrin 90 %. Kualitet i ri është formimi i laboratorit, e më pastaj edhe Njësisë së histokompatibilitetit dhe imunologjisë qelizore të Prof Dr. Pero Kolevski. Për profesionalizmin dhe punën e palodhshme në vitin 1987 u dekorua me Urdhrin e meritës për popullin me yll argjendi. Prof. Kolevski, ministër i parë i Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së pavarur (1991 – 1992).
Prim. Dr. Millosh Gruboviq vazhdimisht punonte në rritjen e numrit të dhuruesve të gjakut dhe në ato vendet ku nuk kishte sukses në sferën e dhurimit të gjakut, ai arrin rezultate mahnitëse për ç’arsye në vitin 1981 fiton Urdhrin e punës me kurorë argjendi.
Njësia e trombozës, hemostazës dhe imunokimisë, me të cilat më shumë se tri dekada ka udhëhequr Prim. Dr. Ivan Dejanov – fitues i Urdhrit të punës me kurorë ari më1982, zhvillohet në një kompleks laboratorësh solid modern, në të cilët realizohet prodhimi i reagensëve përkatës për diagnostifikim dhe terapi të çregullimeve hemostate.
Imunohematologjia shënon zhvillim të vazhdueshëm në Ent. Nga ky laborator doli edhe disertacioni i doktoratës “Aloimunizimi i antigjenëve eritrocit” i mbrojtur nga Doc. Dr. Voskresija Stefanovska. Në bazë të kësaj pune shumëvjeçare janë përgatitur panelet e para eritrocite, të cilat janë futur në një praktikë rutine. Meritat për zhvillimin e njësisë farmaceutike i takojnë Mr. Petar Zafirovski. Njësia e punëve juridike – të përgjithshme kadrovike dhe ekonomike – financiare është nën udhëheqjen e ekonomistes Slobotka Nedellkovska, e cila punon në mënyrë efikase dhe ekonomike që nga themelimi i Entit.
Në të tetëdhjetat e hershme, transfuziologjia u bë lëndë fakultative në Fakultetin e Mjekësisë. Ligjëruesit të shquar universitar Dr. Ivan Dejanov, i takojnë meritat e pamohueshme për fillet e këtij përfitimi të theksuar të Entit Republikan të Transfuziologjisë, si mësues i parë i transfuziologjisë. Pastaj, Prof. Dr. Pero Kolevski dhe docentët Voskresija Stefanovska dhe Stojanka Kostovska, u zgjodhën mësues në Fakultetin e Mjekësisë. Mësuesit dhe dhjetë ndihmësmësuesit e zhvillojnë mësimin e rregullt në Katedrën e Transfuziologjisë dhe të imunologjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Shkup.
Në kuadër të veprimtarisë shkencore – edukative punon edhe Shoqata e Hematologjisë dhe e Transfuziologjisë në përbërje të Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë. Këtu prezantohen dhe këmbehen njohuritë më të reja nga sfera e hematologjisë dhe e mjekësisë së transfuzionit. Në vitin 1984 në Shkup janë realizuar me sukses Ditët hematologjike – transfuziologjike të Jugosllavisë. Krahas disertacioneve të doktoratës të mbrojtura dhe disa të paraqitura, numri i punimeve shkencore të publikuara nga transfuziologët në vend dhe jashtë është shumë i madh. Ai nuk mund të shpaloset me saktësi e aq më pak të jepet ndonjë vlerësim preciz për kualitetin, i cili është i padiskutueshëm. Është fakt se transfuziologët e Maqedonisë kanë arritur rezultate të theksuara, ekuivalente me ato të qendrave tjera të ish-Jugosllavisë, por shpeshherë edhe më gjerë.
Për porogresin dhe punën e këtillë, Enti Republikan i Transfuziologjisë disa herë është dekoruar si kolektiv. E përmendëm Urdhrin e fituar pas tërmetit në vitin 1964. Në vitin 1986 duke festuar 40 vite punë të suksesshme që nga themelimi, Enti Republikan i Transfuziologjisë fiton Urdhrin e meritës për popullin me rreze argjendi. Një vit më vonë, si organizatë më e mirë në territorin e Republikës së Maqedonisë, Enti fiton plaketën “Dr. Trifun Panovski”. Krahas mendimit profesional dhe edukativ, më tepër gëzojnë rezultatet në sferën e dhurimit të gjakut.
Pas një zhvillimi të gjatë dhe gradual të shoqëruar me ngecje të rastësishme, përpjekjet pesëdhjetëvjeçare u kurorëzuan me fryt të mirë.
Kështu, në vitin 1989, numri i dhurimeve të gjakut arrin një rekord prej 61.000 apo 3,1 % e popullsisë së përgjithshme që kanë dhuruar gjak. Sot dhurimi i gjakut bazohet në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të Shërbimit Republikan të Transfuziologjisë me Kryqin e Kuq të Maqedonisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë. Aktiviteti i tyre, veçanërisht vjen në shprehje kur rënia e dhurimeve të gjakut nga 45.889 në vitin 1994, përmirësohet në 49.152 njësi gjaku në vitin 1995. Rritja, para së gjithash, bazohet në punën e koordinuar të tre faktorëve, si dhe në formimin e Këshillit të veprimtarisë transfuziologjike pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Pjesa më e madhe e angazhimit të Këshillit, krahas përmbushjes së nevojave për gjak dhe produkte të gjakut dhe punës efektive të shërbimit të transfuzionit, futjes së mënyrave të reja të masovizimit të dhurimit të gjakut dhe projektit të ri për sjelljen e Ligjit të transfuzionit, si dhe aktet tjera përcjellëse me të cilët do të rregullohet aktiviteti i përgjithshëm në fushën e mjekësisë së transfuzionit.
Sot në Republikën e Maqedonisë, në veprimtari të transfuzionit janë të angazhuar 320 të punësuar, prej të cilëve 147 në Institutin e Mjekësisë së Transfuzionit në Shkup. Nga 60 mjekë që ka gjithandej në Republikë, 54 janë transfuziologë specialistë, 4 biologë, 2 farmacistë specialistë, 1 ekonomist dhe profesor i Letërsisë, mbi 170 laborantë … Kjo mundëson grumbullimin, kontrollin, përpunimin, ruajtjen dhe shpërndarjen më profesionale të gjakut dhe të produkteve të gjakut.
Bashkëpunimi me qendrat e transfuzionit të ish-Jugosllavisë ka qenë në nivel të duhur dhe nuk është ndërprerë gjer më sot. Një numër i madh i ekspertëve të Entit dhe Republikës kanë marrë edukim shtesë në Beograd, Zagreb, Lublanë, Athinë, Sofje, si dhe në Budapest, Paris, Këln, Hamburg, Odesë, Kopenhagë, Amsterdam, Moskë, Leningrad, Obninsk, Upsala, Oslo, Linkeping, Helsinki, Pitsburg, Çepellhill, Sidnej, Melburn … Por Enti, po ashtu ka qenë dhe është vendi në të cilin janë edukuar shumë mjekë dhe teknikë vendor dhe të huaj. Kështu për shembull pas themelimit të Departamentit të përgatitjes së albuminës, ekspertë nga Brazilia dhe Kina janë aftësuar të punojnë në problemin e fraksionimit të plazmës me kromatografi jon – këmbyese.
Në përbërje të ndihmës ndërkombëtare shkencore – teknike në Derna, Misrata dhe Bengazi – Libi, në periudhën 1979 – 1987 kanë qëndruar, punuar dhe kanë themeluar Shërbimin e Transfuziologjisë, 4 mjekë dhe 9 laborantë të mjekësisë.
Shikuar në mënyrë retrospektive, rezultatet e shërbimit të transfuziologjisë janë të padiskutueshme dhe paraqesin një nxitje të madhe për punën e mëtutjeshme. Janë marrë dhe ruajtur 1.228.760 njësi gjaku, janë përgatitur mbi 1.100.000 njësi produkte plazme, mbi 8.500 litra serum dhe reagens për punë në transfuziologji, janë përgatitur dhe aplikuar mbi 7.600.000 njësi tretësirë dhe janë përpunuar mbi 35.000.000 procedura të ndryshme laboratorike.
Këto janë vetëm shifra të përgjithshme, të cilat flasin për vëllimin e punës së Entit Republikan dhe Shërbimit të Transfuziologjisë në tërësi. Në këto numra është bazuar angazhimi i mbi 400 të punësuarve të vyeshëm dhe modest, të cilët gjatë 50 viteve janë ballafaquar me një numër të madh të problemeve të natyrave të ndryshme, por çdoherë i kanë zgjidhur në favor të të sëmurit. T’i përmendim vetëm ata të cilët tani nuk janë në mesin tonë: Branimir Simonoviq, Dragica Jovanovska, Ivan Kirovski, Trajko Ançevski, Pançe Vuçidollov, Jordan Atanasovski, Vebi Alija, Aleksandar Bellxhigeroski. Shërbimi Transfuziologjik në Republikën e Maqedonisë, i përcjell hap pas hapi të arriturat moderne dhe parimet mjekësore në tërësi duke i shfrytëzuar standardet dhe rekomandimet e OBSH-së dhe Këshillit të Europës për Gjak dhe Produkte të sigurta, si dhe parimet e mjekësisë së transfuzionit për shfrytëzim racional të tyre.
Nga janari i vitit 2011, në përputhje me Ligjin e sigurisë gjatë furnizimit me gjak (Shtator, 2009), Enti i Transfuziologjisë dhe Shërbimet tjera transfuziologjike në përbërje të spitaleve në Republikën e Maqedonisë u shndërruan në shërbim të integruar. U ndryshua Statuti i Institucionit, i cili nga Enti kaloi në Institut të Mjekësisë së Transfuzionit, në kuadër të cilit në mënyrë funksionale ekzistojnë qendrat rajonale në Shtip, Tetovë dhe Manastir dhe 18 Shërbimet e Mjekësisë së Transfuzionit, prej të cilave 2 në Shkup dhe 16 në qytete tjera të Republikës. Mjekësinë transfuzive në qindvjetorin e ardhshëm e shohim si hallkë kryesore në zinxhirin që lidh mjekësinë laboratorike dhe klinike, të shëndetshmin dhe të sëmurin. Për realizimin e këtij qëllimi, kemi pasur dhe presim edhe më tutje përkrahjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Ministrisë së Shëndetësisë, të punësuarve dhe aktivistëve të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, të gjithë punëtorëve shëndetësorë, të mjeteve të informimit, të institucioneve edukative – arsimore dhe shkencore dhe të të gjithë qytetarëve – dhuruesve të gjakut në Republikën e Maqedonisë.
I falenderojmë të gjithë.