Si të bëheni dhurues të gjakut

Që të bëheni dhurues të gjakut, duhet të keni dëshirë dhe një pjesë të vogël të kohës Tuaj.

Të shpëtohet jeta e dikujt është gjest human. Keni parasysh se vetëm me një qese gjak të dhuruar mund të shpëtoni deri në 3 apo 4 jetë. Kjo ndodh për arsye se nga një njësi e gjakut të plotë, bëhen më shumë produkte.

Informohuni nëpërmjet web – faqes tonë, por edhe nëpërmjet mjeteve të informimit publik, në cilën ditë, në cilin vend do të punojnë ekipet tona lëvizëse dhe dhuroni gjak.

Mund të dhuroni gjak, në afërsi të vendbanimit Tuaj. Të punësuarit mund të dhurojnë gjak edhe në ditët kur ekipi ynë lëvizës shkon në organizatën e tyre të punës.

Nëse ju konvenon, mund të shkoni edhe në Shërbimin e Transfuzionit në qytetin tuaj, ku do të jeni të mirëpritur dhe të shërbyer me kënaqësi.

Po ashtu, gjak mund të dhuroni edhe në Instituti i Mjekësisë së Transfuzionit në Shkup (IMT – Shkup) çdo ditë pune nga ora 7:30 deri më 19:00, ndërsa të shtunën nga ora 9:00 deri më 14:00.

Që të bëheni dhurues i gjakut duhet t’i plotësoni kushtet e detyrueshme si në vijim:

• Të jeni të shëndetshëm dhe të jeni të moshës prej 18 deri 65 vjeçarë.
• Para se të dhuroni gjak, duhet të plotësoni pyetësorin për dhuruesit e gjakut, pyetjet e parashtruara kanë të bëjnë me shëndetin Tuaj, sëmundjet e kaluara dhe shprehitë jetësore. Është e domosdoshme, sinqerisht të përgjigjeni në pyetjet e parashtruara, sepse në këtë mënyrë e mbroni shëndetin tuaj, por edhe shëndetin e atij që pranon gjakun Tuaj.
• Pas plotësimit të pyetësorit kalohet në shpuarjen e gishtit që të merret gjak dhe të kontrollohet niveli i hemoglobinës në gjak.
• Pastaj, vije biseda me mjekun, i cili e shqyrton pyetësorin që e keni plotësuar, ua mat tensionin e gjakut dhe dëgjon punën e zemrës Tuaj. Në këtë mënyrë kontrollohet shëndeti Juaj, sepse gjak mund të japë vetëm njeriu i shëndetshëm.
Pas kontrollit, mjeku duhet të japë pëlqimin që të dhuroni gjak.
• Nëse gjithçka është në rregull, kalohet në aktin e dhurimit të gjakut, i cili realizohet në pozitë të shtrirë. Për dhurim të gjakut shfrytëzohen qese të trefishta apo të katërfishta, por dhurohet vetëm në njërën qese, ndërsa në dy, gjegjësisht tri të tjerat përgatiten komponente të gjakut. Pajisja e dhurimit është sterile dhe përdoret vetëm një herë, që do të thotë se nuk ekziston mundësi të infektoheni. Personeli ynë është mirë i trajnuar, në mënyrë që shpuarja me gjilpërë nuk do t’ju dhemb më shumë se një shpuarje e thjeshtë gjatë marrjes së gjakut për çfarëdo analize të gjakut. Gjatë dhurimit nuk do të ndjeni gjilpërën përderisa e keni në venë. Më mirë është, që gjatë dhurimit, të bisedoni me personelin tonë apo të mendoni ndonjë gjë të këndshme për Ju, ndërsa ne do të kujdesemi që të ndiheni sa më rehatshëm. Pas dhurimit qëndroni të shtrirë edhe 5 – 10 minuta. Pastaj, vije freskimi me kafe, lëng dhe ushqim të lehtë.
• Pas dhurimit të gjakut mund t’u ktheheni obligimeve Tuaja të përditshme të punës. Por megjithatë mbani mend disa këshilla:
– Nuk duhet të pini duhan për 30 minuta deri në 2 orë pas dhurimit të gjakut, nuk duhet të konsumoni alkool së paku 8 deri në 12 orë, veçanërisht nëse jeni të uritur.
– Mos e hiqni fashën nga vendi (gishti) i shpuar për 2 orë.
– Për 8 orët në vijim të mos i nënshtroheni mundimit të rëndë fizik, ndërsa disa profesione të rrezikshme apo specifike (si xehtarët, punëtorët e ndërtimtarisë, pilotët, persona që përdorin armë zjarri dhe të ngjashme), kërkohet që t’u shmangen të njëjtave përgjatë 48 orëve. E njëjta vlen edhe për sportet ekstreme apo aftësitë luftarake.
– Nëse ndieni përzierje, uluni apo shtrihuni, kjo është kalimtare dhe nuk do të keni pasoja.
– Konsumoni më tepër lëngje në 4 orët e para apo deri në fund të ditës.
– Nëse gjatë 3 ditëve në vijim sëmureni, paraqituni në Shërbimin tonë. Kjo, me siguri nuk është pasojë e dhurimit të gjakut, por mund të na ndihmojë në vlerësimin e sigurisë së produkteve të gjakut Tuaj që i kemi përpunuar, gjegjësit mund të tregojmë se i njëjti nuk është i përshtatshëm për transfuzion.
• Për çdo vërejtje, pozitive apo negative, ju lutemi të na informoni, ose nëpërmjet linjës së kontaktit në web faqen tonë, ose në mënyrën e cila është më e përshtatshme për Ju.

Pyetje më shpesh të parashtruara për dhurimin e gjakut

1. Në cilën moshë mund të filloj të dhuroj gjak?
Çdo person i shëndetshëm nga mosha 18 deri 65 vjeçare mund të dhurojë gjak.

2. A duhet të kem ngrënë para dhurimit?
Para dhurimit preferohet të hani ushqim të lehtë (kifle, gjevrek …). Nëse paraprakisht keni ngrënë ushqim më të yndyrshëm, nuk do të kemi mundësi të fitojmë gjak kualitativ dhe produkte të gjakut nga gjaku që e keni dhuruar.

3. Çka përmban kontrolli para dhurimit?
E plotësoni një pyetësor për dhuruesit e gjakut, në të cilin parashtrohen pyetje që kanë të bëjnë me shëndetin tuaj, sëmundjet e kaluara dhe shprehitë jetësore. Me shpuarje, nga gishti merret një pikë gjak dhe kontrollohet niveli i hemoglobinës në gjak. Pastaj, vije biseda me mjekun, i cili ua mat tensionin e gjakut dhe dëgjon punën e zemrës.

4. A testohet gjaku?
Po. Gjaku ekzaminohet për prezencën e sëmundjeve infektuese të transmetueshme nëpërmjet gjakut – sarillëkut (hepatit) B dhe C, sifilisit, sidës. Secila njësi e gjakut, e cila ka rezultuar pozitive në cilindo test, asgjësohet në mënyrë të sigurt. Përveç kësaj, përcaktohet grupi i gjakut, faktori Rh dhe antitrupthat te çdo njësi gjaku.

5. Çfarë ndodh më pas me rezultatet nga ato teste?
Të gjitha rezultatet e testeve janë të dispozicion për shqyrtim vetëm për dhuruesin dhe personelin mjekësor, i cili drejtpërdrejt i realizon testet apo i cili është përgjegjës për kontrollin e kualitetit të komponenteve të fituara të gjakut, d.m.th. ka anonimitet dhe diskrecion absolut. Personat te të cilët është konstatuar se cilido test që është paraparë për sëmundjet infektuese të transmetueshme nëpërmjet gjakut rezulton pozitiv, ftohen me shkrim që të vijnë për test të sërishëm apo për udhëzim në ndonjë institucion tjetër, i cili është përgjegjës për shërim apo ekzaminim shtesë.

6. A mund të infektohem gjatë dhurimit të gjakut?
Me dhurimin e gjakut nuk mund të infektoheni, sepse pajisja e dhurimit është sterile dhe përdoret vetëm një herë.

7. A dhemb shpuarja me gjilpërë?
Personeli ynë është i trajnuar mirë në mënyrë që shpuarja me gjilpërë nuk do t’ju dhemb më shumë se një shpuarje e thjeshtë gjatë marrjes së gjakut për çfarëdo analizë të gjakut.

8. A ndihet gjilpëra derisa është në venë?
Gjilpëra nuk ndihet derisa është në venë.

9. Sa zgjat dhurimi i gjakut?
Dhurimi zgjat afërsisht 5 – 10 minuta.

10. Sa është sasia e gjakut që dhurohet?
Dhurohen 450 ml. gjak. Dëshirojmë t’ju përkujtojmë se personi që peshon afërsisht 70 kg. ka afërsisht 5 litra gjak. Ekziston mundësia, në kushte rreptësisht të përcaktuara, të dhurohet sasi më e vogël e gjakut, për shembull 350 ml. që bëhet në qese të projektuara për këtë qëllim.

11. Për sa kohë kompenzohet gjaku i dhuruar?
Pjesa e lëngshme e gjakut – plazma, kompenzohet brenda 24 orëve. Qelizat e gjakut (eritrocitet, trombocitet, leukocitet) kompenzohen gradualisht gjatë disa javëve, varësisht nga lloji i qelizave. Për këtë arsye është dhënë një interval kohor ndërmjet dy dhurimeve, 3 muaj për meshkuj dhe 4 muaj për femra.

12. Si do të ndihem pas dhurimit?
Zakonisht, dhuruesit nuk ndiejnë kurrfarë vështirësi apo ndryshime gjatë apo pas dhurimit. Disa dhurues ndihen madje edhe më mirë dhe më të lehtësuar sesa para dhurimit. Megjithatë, një numër i vogël i dhuruesve mund të ndiejnë shqetësim të lehtë apo përzierje. Kjo nuk duhet t’ju shqetësojë, sepse rastet e këtilla janë kalimtare dhe pa pasoja. Mjeku do t’ju këshillojë si të reagoni në raste të tilla.

13. Pas dhurimit, a mund t’i kryej aktivitetet e përditshme?
Mund t’i kryeni aktivitetet e tuaja të përditshme. Megjithatë, personat të cilët punojnë punë të rënda dhe të rrezikshme duhet të kenë kujdes gjatë 2 ditëve në vijim. Ekzistojnë profesione të cilat kërkojnë që dhuruesi të mungojë nga puna nga 12 deri më 72 orë, varësisht nga natyra e profesionit. Mbani mend se nuk duhet të pini duhan, së paku 30 minuta deri në 2 orë, nuk duhet të konsumoni alkool së paku 8 deri në 12 orë, veçanërisht jo në stomak të zbrazët dhe është e pëlqyeshme që gjatë ditës përkatëse të konsumoni më tepër ujë apo lëngje.

14. A ekzistojnë lloje tjera të dhurimit?
Po, ekzistojnë të ashtuquajtura mënyra alternative të dhurimit të gjakut, siç janë për shembull dhurimi nëpërmjet aferezës, dhurimi autolog, hemodilusioni normovolemik paraoperativ dhe salvazhi intraoperativ dhe pasoperativ i gjakut.

Me procedurën e quajtur aferezë, gjaku i dhuruesit kalon nëpër aparatin qelizë – ndarës me qëllim që të ndahen elementet e gjakut – plazma dhe lloje të ndryshme të qelizave (trombocitet, leukocitet, eritrocitet), kështu që për terapi shfrytëzohet vetëm ajo pjesë që është e nevojshme, ndërsa pjesa tjetër e gjakut i kthehet dhuruesit. Gjatë dhurimit autolog (gjatë operacioneve të planifikuara), pacienti dhuron gjak dhe komponente të gjakut për veten e tij. Gjakun që e dhuron para operacionit ruhet në shërbimin transfuziologjik. Ai i dedikohet vetëm pacientit që e ka dhuruar dhe gjatë operacionit e pranon të njëjtin. Llojet tjera të dhurimit alternativ ndodhin në sallën e operacioneve te pacientët te të cilët ekziston indikacion të realizohet e njëjta. Ushqimi i duhur para dhurimit të gjakut.
Të nderuar dhurues të gjakut!
Gjakun që e dhuroni është ilaç i çmuar nga i cili varet jeta e shumë të sëmurëve. Kualiteti, siguria e gjakut dhe furnizimi me sasi të mjaftueshme të të gjitha grupeve të gjakut janë prioreti ynë dhe vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me Ju, ato mund të realizohen në tërësi. Prandaj, ju lutemi, edhe këtë herë së bashku ta zgjidhim problemin me të cilin ballafaqohemi në punën tonë të përditshme. Ndërsa, ato janë:
Niveli i lartë i yndyrës në gjak!!!

A e dini se?
• Yndyra e tepërt në ushqimet Tuaja vërehet edhe në gjakun që e dhuroni. Plazma është e turbullt apo ka ngjyrë të bardhë, në vend të të verdhës – transparente.
• Për shkak të yndyrës së tepërt në gjakun e dhuruar, ndonjëherë nuk mund të bëhen teste të gjakut, të cilat janë të nevojshme gjatë çdo dhurimi.
• Gjaku, i cili ka yndyrë të tepërt, nuk mund të përdoret për trajtimin e të sëmurëve, gjë që ndikon dukshëm, gjegjësisht i pakëson rezervat.

Cilat ushqime përmbajnë shumë yndyrë?
Ato janë: ushqimet e skuqura, vezët, majonezi, proshuta, salçiçet, qumështi dhe produktet e qumështit (djathi, kaçkavalli, kajmaku, gjalpi etj.)
Cilët ushqime përmbajnë pak yndyrë?
Frutat, perimet, peshku, brumërat, ushqimi i gatuar, sallatat e freskëta janë produkte me yndyrë të nivelit të ulët, gjegjësisht bëjnë pjesë në grupin e ushqimeve të shëndetshme që preferohen të konsumohen çdo ditë.
Këshilla për ushqim, para dhurimit të gjakut

• Para se të dhuroni gjak nuk keni nevojë të jeni të uritur; zgjedhni ushqim pa yndyrë!!
• Shmanguni ushqimeve të yndyrshme 12 deri 14 orë para dhurimit të gjakut.
• Para dhe pas dhurimit zmadhoni konsumimin e lëngjeve, para së gjithash ujë dhe pije joalkoolike

Vërejtje: Prezenca e yndyrërave mund të zmadhojë rrezikun e paraqitjes së sëmundjeve të zemrës dhe të enëve të gjakut!! Prandaj, nëse keni pasur yndyrëra në gjak apo thjesht dyshoni, para dhurimit mund të realizoni test laboratorik falas, në Institutin tonë të Mjekësisë së Transfuzionit.

Ju presim!
Ruani shëndetin tuaj që të mund t’ia dhuroni të tjerëve!!