Gjaku është ilaç për të cilin nuk ka zëvendësim të duhur. Ai dhe produktet që fitohen nga ai, gjejnë përdorim të gjerë në shërimin e një numri të madh të të sëmurëve dhe luajnë një rol shumë të çmuar. Gjaku është i domosdoshëm gjatë operacioneve te personat me anemi dhe sëmundje tjera të gjakut, për lehona dhe për shumë gjendje të tjera.
Në raste urgjente, të sëmurët dhe të lënduarit që kanë jetën në rrezik, kanë nevojë të menjëhershme për gjak. Për këtë shkak, në çdo kohë duhet të ketë sasi të mjaftueshme të gjakut dhe të komponentëve të gjakut, të cilat janë të kontrolluara dhe të sigurta për përdorim.
Gjaku duhet t’i presë pacientët, e jo pacientët të presin gjakun.
Kjo mund të arrihet vetëm nëse Shërbimi i Transfuzionit, në çdo kohë, është i furnizuar me rezerva të mjaftueshme të gjakut dhe me komponente të gjakut (plazmë, trombocite, krioprecipita), ndërsa kjo veçmas varet nga të gjithë ne që kemi vendosur të bëhemi dhurues të gjakut.
Të mos harrojmë se dhurimi i gjakut paraqet privilegj për të shëndetshmit dhe shpresë për të sëmurët. Çdonjërit nga ne, ndonjëherë gjatë jetës mund të na nevojitet terapi me gjak dhe produkte gjaku. Prandaj, të mos harrojmë ata për të cilët gjysëm ore të kohës tonë dhe një qese gjak paraqet mundësi për jetë. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të sigurt se nëse ndonjëherë sëmuremi, dikush do të ndajë gjysëm ore që të na dhurojë jetë të re.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon se vetëm dhurimi vullnetarë, anonim dhe pa pagesë i gjakut mund t’i plotësojë nevojat për gjak të sigurt. Dhurimi familjar i gjakut duhet të shmanget, megjithatë disa herë, për arsye specifike (grup gjaku i rrallë apo dukuri të tjera të paplanifikuara) mund të paraqitet nevoja, ndonjë anëtar i familjes i të sëmurit të dhurojë gjak për të. Këto janë dukuri të rralla dhe sporadike.
Dhurimi i paguar, në vendin tonë nuk ekziston. Njëtjë është edhe gjithandej nëpër botë, përveçse në disa vende në të cilët sistemet shëndetësore janë në nivel shumë të ulët, në këtë mënyrë edhe siguria e gjakut nga dhurues të paguar është në sasi të vogla apo nuk ekziston.
Çdo njësi gjaku nga dhuruesit vullnetarë, kontrollohet për prezencën e sëmundjeve infektuese (sarillëkun B dhe C, sidën, sifilisin), si dhe për grupin e gjakut dhe faktorin Rh dhe antitrupthat. Ky kontroll zgjat 24 orë. Do të thotë, nëse për ndonjë të sëmurë apo të lënduar, dhuron gjak i afërmi i tij i familjes (dhurim familjar), gjakun nuk mund ta pranojë pacienti menjëherë, pikërisht për shkak të kohëzgjatjes së kontrollit dhe grupeve të papërshtatshme të gjakut. Rezultatet e këtyre testeve janë anonime dhe sekrete dhe janë të njohura vetëm për dhuruesin dhe personelin mjekësor të përfshirë në testim dhe kontroll të kualitetit. Për rezultatet e mundshme pozitive, dhuruesi do të informohet dhe do të ftohet për testim të sërishëm apo do të udhëzohet në instiutcione tjera përkatëse për shqyrtim të mëtutjeshëm apo terapi./p>
Mbani mend: NUK DUHET TË DHURONI GJAK QË TË TESTOHENI PËR SËMUNDJET QË BARTEN NËPËRMJET GJAKUT.
Gjak dhurohet vetëm nga filantropia dhe dëshira e madhe për të ndihmuar. Ai është akti më i lartë i altruizmit dhe i humanizmit.